zambaj gjonaj arnold rrokaj

Prokuroria e Posaçme (SPAK) u bë objekt i një sulmi kibernetik më 12 mars 2025, ku u arrit të komprometohen disa adresa emaili të prokurorëve të posaçëm. Megjithatë, sipas një komunikate zyrtare të SPAK, sistemi i brendshëm IT i institucionit mbeti i pacënuar.

Për këtë ngjarje, janë arrestuar ish-drejtori i paraburgimit të Vlorës, Zambak Gjonaj, dhe Arnold Rrokaj, ish-punonjës i IMT-së. Sipas SPAK, njëri nga të ndaluarit është përgjegjës për ndërhyrjen e paligjshme në email-et e prokurorëve, ndërsa tjetri për shpërndarjen e materialit të siguruar tek persona të tretë.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se janë prekur email-et e prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, të cilët po punojnë mbi dosje të rëndësishme që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas informacioneve të deritanishme, ndërhyrja në email-in e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, ka dështuar.

Pavarësisht arrestimeve të kryera, dilemat mbeten të hapura:

  • A kanë pasur vërtet këta persona aftësitë teknike për të realizuar një sulm të tillë, apo ata janë vetëm ekzekutorët e një skeme më të gjerë?
  • A ishin ata të vetmit që përfituan nga informacionet e siguruara, apo ka të tjerë që fshihen pas kësaj ndërhyrjeje?

Deri më tani, SPAK nuk ka dhënë detaje mbi motivet që mund të kenë pasur të arrestuarit, as mbi përfituesit finalë të informacionit të komprometuar. Hetimet vijojnë me dyshime për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal që mund të ketë orkestruar këtë sulm, ndërsa Prokuroria ka marrë masa shtesë për mbrojtjen e të dhënave dhe forcimin e sigurisë së sistemit të saj informatik.

Ngjarja mbetet ende e pazbardhur plotësisht dhe pyetja kryesore mbetet e hapur: a kemi të bëjmë me një veprim të izoluar nga individë të veçantë, apo këta janë thjesht “kurbanët” e një loje më të madhe? /gazetajone