
Një 68-vjeçar është marr peng në mes të qytetit të Tiranës dhe 5 autorët e kanë mbajtur në një banesë të mbyllur në këmbim të 2 mln lekëve të rinj për ta liruar.
Policia ka arritur që të vërë në pranga 5 autorët, dy vëllezërit Klinton e Sulejman Sina, 21 dhe 31 vjeç, Idajet Mashollari, 21 vjeç, Bajram Ibraliu 57 vjeç dhe Nikoleta Begolli 32 vjeçe.
68-vjeçari Edvar Agalliu ka qenë në qendër në mes të qytetit të Tiranës, në një prej rrugëve më të populluara, “George W. Bush”, kur 3 prej autorëve kanë ndaluar makinën dhe e kanë marrë me forcë.
Pasi e futën në automjet, Sulejman e Klinton Sina dhe Idajet Mashollari janë larguar në drejtim të fshatit Kakunjë, ku e kanë izoluar 68-vjeçarin në një banesë të braktisur për 5 orë.
Konfikti mes tyre ka nisur në rrugë, ku njëri prej autorëve ka pretenduar se i ka ngacmuar të fejuarën, Nikoleta Begollin, dhe nga debati me kundërshti nga ana e 68-vjeçarit e kanë marrë me zor në makinë dhe e kanë dërguar në një fshat në kufi me Elbasanin.
68-vjeçari para hetuesve ka deklaruar se vetëm e njihte Begollin, por nuk e ka ngacmuar asnjëherë, por të kundërtën ka deklaruar vetë 32-vjeçarja.
Burri pasi është marrë, nuk është dhunuar, por vetëm lidhur dhe i është bërë presion.
Pasi e mbajtën peng në banesën e barktisur, autorët kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit dhe i kanë kërkuar 2 mln lekë të rinj. 68-vjeçari ka telefonuar gruan për të sjellë paratë dhe më pas është liruar.
Bashkëshortja i ka dorëzuar shumën Bajram Ibraliut në zonën e Saukut në Tiranë.
I gjithë momenti i pengmarrjes është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe policia ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e të gjithë autorëve.
Njëri prej autorëve ka dëshmuar në Policinë e Tiranës se 68-vjeçari i ka ngacmuar të fejuarën, Nikoleta Begollin.
Nga kontrollet që ka ushtruar policia, në banesat e 5 autorëve dhe mjetin me të cilin lëviznin Nikoleta Begolli dhe Sulejman Sina, ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e 68-vjeçarit. Po ashtu, në banesën ku u mbajt peng, është gjetur edhe litari me të cilin ishte lidhur 68-vjeçari. /gazetajone