
Rayan Alwan dhe familja e saj palestineze e përbërë nga katër anëtarë, babai Fadi Alwan, nëna Rania Matar dhe vëllai jetonin në Liban në kushte shumë të vështira ekonomike.
Në vitin 2018 në moshën 16-vjeçare Rayan u martua nga familja me një burrë që ia kishte gjetur nëna e saj dhe e kishte detyruar të martohej edhe pse Rayan nuk ishte dakord. Në moshën 17-vjeçare Rayan u bë nënë për herë të parë ku lindi një djalë. Rayan kishte një bashkëshort agresiv dhe të dhunshëm, i cili dhunonte dhe abuzonte me të sistematikisht. Rayan kishte tentuar të ndahej, por nëna dhe babai nuk e lejonin.
Mes dhunës dhe terrorit në moshën 21-vjeçare Rayan bëhet sërish nënë dhe lind fëmijën e dytë e cila ishte vajzë. Dhuna dhe abuzimi nga bashkëshorti vijonte sërish, por traumën më të madhe Rayan e pësoi kur zbuloi se nëna e saj kishte një lidhje intime me bashkëshortin e saj dhunues. Këtu nisën sërish konfliktet mes saj dhe nënës e cila e mbante nën presion që mos të tregonte të vërtetën, por Rayan vendosi të divorcohej. Bashkëshorti nuk e pranoi, por ajo u largua nga shtëpia dhe jetoi vetëm në Liban. Sipas ligjit të Libanit rregulli ishte që fëmijët do të qëndronin me ish-bashkëshortin e Rayan.
Në vitin 2023 nëna e saj Rania Matar sëbashku me vëllanë e Rayan largohen nga Libani dhe shkojnë si azilantë në Gjermani. Ndërsa Rayan vijonte të qëndronte në Liban e vetme, po ashtu edhe babai i saj. Nëna gjatë kësaj kohe kishte krijuar lidhje të dyshimta në Gjermani dhe dyshohet se punonte si punonjëse seksi. Në vitin 2024 edhe Rayan dhe babai i saj largohen nga Libani për të shkuar në Gjermani te nëna dhe vëllai. Për shkak të kushteve të këqija të jetesës në Liban, ajo vendosi të largohej, me shpresën se gjërat do të ishin ndryshe diku tjetër.
Ajo udhëtoi në Turqi me babanë, më pas në Greqi ku qëndruan rreth 6 muaj dhe kur mori lejen e qëndrimit atje më pas u bashkua me nënën e saj në Gjermani në muajt e parë të vitit 2024. Në Gjermani qëndronin me pasaportën greke. Rayan filloi një jetë të re dhe jetonte e vetme në një kamp refugjatësh në Gjermani, ndërsa nëna dhe babai jetonin bashkë dhe jo me vajzën e tyre. Rayan filloi punë si kamariere në një restorant që e kishin disa arabë në Berlin. Ajo punonte për arabët sepse nuk dinte gjuhën. Rayan fitonte rreth 50 euro në ditë, por jetesa për të ishte e vështirë pasi paratë që fitonte nga puna ia merrte nëna dhe babai. Rinisën sërish konfliktet e saj me nënën, konfliktet me familjen u shtuan edhe më shumë kur Rayan u dashurua me një djalë të varfër nga Libani i cili punonte në një supermarket pranë restorantit ku punonte 24-vjeçarja në Gjermani.
Nëna dhe babai nuk ishin dakord me lidhjen e vajzës së tyre sepse djali që ajo dashuronte ishte i varfër. Rayan njohu shoqe dhe shokë në Gjermani të cilët i qëndruan afër. Drama e 24-vjeçares palestineze vijoi kur zbuloi që nëna e saj kishte punuar si punonjëse seksi, fakt të cilin babai i saj nuk e kishte zbuluar dhe nuk e besonte. Nisi një periudhë dhune ndaj Rayan nga familja e saj, ku babai i shtyrë nga nëna filloi të godiste vajzën e tij. Rayan dhe miqtë e saj bënë kallëzim në polici në shtator të vitit 2024. Babai e godiste sepse sipas shoqërisë së saj, babai dhe nëna pretendonin se ajo dilte shumë dhe donte një djalë të varfër, por familja donte që ajo të punonte dhe t’u jepte para atyre. Nëna donte që Rayan të lidhej me një person të pasur që t’u siguronte të ardhura gjithë familjes.
Pas kësaj situate dhune, Rayan fillimisht e ka ndaluar babanë që të afrohet me të, por pas disa ditësh ai i ka kërkuar falje. Meqenëse e donte babanë e saj, ajo e fali atë. Por nga ky moment nëna bllokoi çdo lëvizje të Rayan duke i marrë pasaportën. 24-vjeçarja nuk mbante asnjë dokument me vete sepse ia kishte marrë nëna, po ashtu edhe paratë. E vetmja gjë që Rayan mbante me vete ishte celulari i saj dhe një foto e dy fëmijëve të saj. Këtë foto Rayan e mbante pranë saj gjithmonë kudo që ishte me shpresën se një ditë do bashkohej me dy fëmijët e saj.
Kohët e fundit Rayan po kërcënonte nënën e saj se do të shkonte në polici nëse nuk do t’i jepte pasaportën dhe do t’i tregonte të atit gjithçka ajo kishte bërë. Miqtë e Rayan thonë se babai i Rayan kishte frikë nga nëna e saj Rania Matar dhe ajo kishte kontroll mbi të. Nëna nuk ia jepte pasaportën sepse Rayan mund të largohej. E mbajti peng vajzën e saj deri sa thuri edhe planin për eleminimin e saj. Shoqëria e Rayan në Gjermani thonë se ajo u vra me kërkesë të nënës së saj, Rania Matar, për t’i mbyllur gojën për veprimet imorale të saj. Rania Matar bindi bashkëshortin e saj se ekzistonte një video ku Rayan ishte në momente intime dhe se personat që e kishin bërë videon kishin shantazhuar nënën e Rayan. Gjithçka ishte e stisur nga nëna deri sa bindi Fadi Alwan që të vrisnin vajzën e tyre.
Rayan donte lirinë si çdo vajzë tjetër dhe jetonte vetëm në një strehë refugjatësh. Ajo nuk iu bind urdhrave të nënës së saj, prandaj ajo e bindi atë që ta largonte dhe të shkonte në kampin në Liban. Sipas ligjit libanez, ushtria libaneze nuk mund të hyjë në kampet e refugjatëve palestinezë, duke e lejuar atë të jetojnë paqësisht atje pa asnjë problem.
Dhe Rayan besoi se do ta dërgonin në Liban për të parë fëmijët e saj, por ata kishin një plan tjetër, ta hiqnin qafe. Rayan donte vetëm të kthehej në Liban dhe te fëmijët e saj.
“Ajo nuk donte të qëndronte këtu; ajo nuk mund të përshtatej për të qenë larg fëmijëve të saj, nuk mund të jetonte këtu dhe nuk dinte gjuhën.”, shprehen miqtë e Rayan në Gjermani.
Pasaportën të cilën ia mbante peng dhe letra false kosovare nëna ia dha babait të Rayan dhe i thanë asaj që do shkonin tranzit nga Shqipëria për të shkuar në Liban. Ryan ka një pasaportë greke, por nuk mund të udhëtojë nga Gjermania sepse nuk ka leje qëndrimi gjermane, por vetëm status azili.
Ndërkohë që Shqipërinë nëna dhe i ati e kishin planifikuar si vendin ku do të kryhej vrasja e vajzës së tyre. Pyetja që bëjmë të gjithë është pse vendosën ta eleminonin vajzën e tyre në Shqipëri.
Miqtë e Rayan dyshojnë se nëna e saj nëpërmjet punëve të pista në Gjermani mund të ketë krijuar njohje me shtetas nga Shqipëria apo Kosova, të cilët mund t’i kenë sugjeruar vendin tonë si vendin perfekt për të kryer një krim dhe për t’i shpëtuar. Një detaj ishin edhe dokumentet false kosovare që kishin me vete Fadi Alwan dhe Rayan që sipas shoqërisë së 24-vjeçares i kishte siguruar nëna, Rania Matar.
Rayan i besoi prindërve të saj dhe u nis me babanë me shpresën që do të shkonte në Liban te fëmijët e saj. Kontakti i saj i fundit ishte i dashuri i saj libanez në Gjermani me të cilin komunikoi për herë të fundit teksa ishte në aeroport.
Më datë 19 shkurt i dashuri i shkruan në whats app Rayan se ishte shumë i shqetësuar për të pasi një ditë më parë ajo nuk i ishte përgjigjur. Rayan i thotë se është në aeroport dhe se po ikën në Liban. Ajo i thotë se një ditë më parë nuk mund t’i shkruante sepse nëna e saj donte që ajo të largohej dhe ajo nuk mund të flasë me të më. I thotë të ketë kujdes. Ky ishte komunikimi i fundit i Rayan dhe që aty ajo humbi çdo gjurmë me shoqërinë e saj. Që prej datës 19 shkurt deri më datë 29 mars shoqëria e saj nuk dinte asgjë për Rayan.
Nëna dhe babai kishin planifikuar gjithçka me detaje për të kryer krimin makabër të vrasjes së vajzës së tyre. Babai pas krimit u largua nga Shqipëria dhe përfundoi në Liban, ndërsa nëna vijoi zbatimin e planit për të fshehur të vërtetën. Ajo fiku numrin e saj dhe mbylli çdo kontakt pasi doli lajmi në mediat shqiptare se vajza e saj është vrarë në Shqipëri dhe policia shqiptare kontaktoi atë gjermane dhe lajmëruan nënën. Që aty ajo u zhduk, përveç kësaj vijoi deri në fund planin djallëzor duke përhapur lajmin në Liban se vajza e saj kishte vdekur në një aksident në Gjermani më datë 29 mars është publikuar në mediat libaneze.
Lajmi njofton ndarjen nga jeta të së resë, Rayan Fadi Alwan, si pasojë e një aksidenti në Gjermani. Aty thuhet se ajo do të varroset në Liban. Lajmi gjithashtu përmend se një tubim ngushëllimi për gratë do të mbahet në kampin Nahr al-Bared të shtunën, më 29 mars 2025.
E gjitha kjo e stisur nga nëna e Rayan. Miqtë e Rayan filluan të kërkojnë në faqet e internetit derisa gjetën raportin e policisë shqiptare për ngjarjen.
Fakti që nëna dhe familja e Rayan nuk tërheqin trupin e saj për ta varrosur vërtetojnë se krimi u krye në bashkëpunim nga nëna dhe babai.
“Ajo po ia fsheh krimin të gjithëve, por ne kemi zbuluar të vërtetën. Thjesht duam që të gjithë ta dinë se nëna dhe babai i saj ishin ata që e vranë. Ne duam vetëm trupin e saj që ta varrosim ne.”, shprehen shoqëria e Rayan në Gjermani.
Kjo është historia tronditëse me fundin makabër e 24-vjeçares palestineze, e cila u vra nga dy prindërit e saj, duke lënë pas dy fëmijë 7 dhe 3 vjeç./ Nga Igli Çelmeta