
Detaje të reja dalin lidhur me vrasjen makabre të 22-vjeçares shqiptare në Itali, e cil u vra nga ish-partneri i saj me origjinë filipinase.
Autori, Mark Samson, pasi e vrau Ilarian, i mori telefonin dhe nisi komunikimet me njerëzit e saj të afërt, për të mbuluar gjurmët e tij dhe për të drejtuar dyshimet për zhdukjen e saj në drejtim tjetër.
Mediat në Itali kanë zbardhur mesazhet që autori i dërgoi nga telefoni i Ilarias, shoqes së saj, Maria Sofia Lombardo, e cila është kthyer në një dëshmitare kyçe.
“Kam ikur me një djalë tjetër, e njoha në rrugë”, është një nga mesazhet që autori i shtirur si Ilaria i dërgoi shoqes së viktimës.
Përmes komunikimeve me shoqen e Ilarias Mark tentoi të shpikte një vrasës misterioz, në vend të tij.
Pasi në mesazhet drejtuar shoqes së Ilarias duke u shtirur si Ilaria ai shkruante: “Jam me dikë tjetër dhe nuk mund të them se ku jam”.
“Po shkoj në shtëpinë e një djali, që njoha në rrugë, por nuk të them dot se ku”, ka qenë një ndër mesazhet që autori i ka çuar shoqes së Ilarias nga telefoni i viktimës më 28 mars.
“Ne e pamë njëri-tjetrin këtë mëngjes jashtë La Sapienza dhe ai më pyeti nëse doja të dilja sot me atë”, ka shkruar më pas autori i shtirur si Ilaria.
Si u vra Ilaria Sula
Kujtojmë se Ilaria Sula, rezultonte e zhdukur që prej datës 25 Mars në Romë.
Fillimisht kishte dyshimet se ajo ishte larguar pas ndarjes me të dashurin, 23-vjeçarin filipinas, por më pas ngjarjet morën një kthesë dramatike.
Trupi i studentes shqiptare u gjet brenda një valixheje të madhe në fund të një shkëmbi në një zonë pyjore në Poli.
Hetimet janë fokusuar tek fundi i lidhjes së saj me të dashurin Filipinas.
Sipas Il Messaggero, ka qenë i riu që dërgoi efektivët në zonën ku u gjet trupi i Ilaria Sulës, e cila studionte në Universitetin Sapienza në Romë.
Ilaria ishte larguar nga shtëpia me qira që ndan me tre shoqe të tjera, por nuk ishte kthyer më.
Mbrëmjen e 25 Marsit shkëmbeu mesazhe në Whatsapp me shoqet e shtëpisë, të cilat të shqetësuara se ajo nuk ishte kthyer, i kishin shkruar.
Më pas çdo kontakt ishte shkëputur. Ka dyshime se 23-vjeçari Filipinas ka përdorur telefonin e viktimës pas vrasjes së saj për të shkëmbyer mesazhe si edhe për të bërë postime në rrjetet e saj sociale.
Sipas medias italiane, ai e ka vrarë Ilaria Sulën duke e goditur me thikë në një apartament në Romë dhe më pas ka hequr qafe trupin pasi e ka futur në një valixhe.
Ka qenë edhe analiza e tabulateve të telefonit dhe qelive që inkriminuan të dashurin e viktimës.