
“Jam përdorues droge, s’mbaj mend asgjë”, kështu ka dëshmuar para autoriteteve greke një 29-vjeçar shqiptar, i cili u vu në pranga pasi sulmoi me çekiç një punonjëse karburanti në zonën e Agioi Anargyri në Greqi, rreth një vit më parë.
Ngjarja ka ndodhur në orën 1:30 të mëngjesit të datës 20 shkurt 2024, kur 29-vjeçari hyri në dyqan me çekiç dhe sulmoi egërsisht gruan duke e goditur në shpinë, bark dhe kokë.
Gjatë gjithë sulmit, autori i ka bërtitur gruas: “Më jep paratë, do të të vras”, dhe në fund arriti t’i rrëmbejë asaj një çantë që përmbante xhiron ditore të dyqanit, në total rreth 680 euro.
Pas sulmit, 29-vjeçari ka tentuar të arratiset, por nuk ka mundur, pasi është pikasur nga efektivët e policisë dhe është arrestuar.
Sa i përket gruas, ajo i shpëtoi për mrekulli sulmit. Sipas mjekes mjekoligjore që ka ekzaminuar viktimën, gruaja ka pasur të mavijosura të shumta në krahun e majtë, si dhe gërvishtje në bark, në kraharor dhe në bërryl.
Gjatë mbrojtjes së tij, autori pretendoi se grabitjen e ka kryer nën efektin e drogës dhe se nuk mban mend se si ka ndodhur ngjarja.
“Unë jam përdorues droge, nuk mbaj mend asgjë. Kisha pirë shumë pilula, përdor kokainë, nuk mbaj mend çfarë kam bërë, kërkoj falje. Prej 13 vitesh jetoj në Greqi. Nuk e di… Shumë pak e mbaj mend ngjarjen, nuk e mbaj mend”, mësohet se ka dëshmuar ai në polici në lidhje me ngjarjen.
Sipas mediave greke, shqiptari para disa ditësh u gjykua dhe u dënua me 5 vjet e 10 muaj burg. /gazetajone