
Partia Socialiste hapi sot zyrtarisht fushatën elektorale, me një aktivitet të mbajtur në kryeqytet, ku kryeministri Edi Rama prezantoi këngëtarin e njohur Noizy si figurën publike që do të shoqërojë PS-në në këtë garë. Lajmi ka ngjallur reagime dhe diskutime, jo vetëm për përfshirjen e një artisti të njohur në politikë, por edhe për mesazhin që duket se përcjell ky vendim.
Noizy, i cili prej vitesh ishte identifikuar si një figurë e afërt me ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj – aktualisht nën hetim nga SPAK – tani del publikisht krah Edi Ramës, në një fushatë që sinjalizon ndryshime jo vetëm në përbërjen, por edhe në qasjen politike të PS-së në Tiranë.
Për analistët, lëvizja e Ramës për të afruar Noizy-n në fushatë shkon përtej aspektit imazherik. Ajo shihet si një tregues se kryeministri jo vetëm që ka marrë në dorë frenat e menaxhimit të fushatës në kryeqytet, por edhe kontrollin simbolik e real mbi strukturat që deri dje identifikoheshin me Veliajn. Përdorimi i një figure të njohur si Noizy – dikur fytyrë e afërt me Veliajn – është interpretuar nga shumëkush si një “shkëputje” përfundimtare nga ish-kryebashkiaku dhe një afirmim i dominimit të Ramës në çdo aspekt të fushatës.
Nuk është hera e parë që PS përdor figura të njohura të artit e sportit në fushatat elektorale, por rrethanat politike që shoqërojnë këtë fushatë e bëjnë përfshirjen e Noizy-t shumë më domethënëse. Në sfond qëndron hetimi i bujshëm i SPAK për aferat në Bashkinë e Tiranës, që ka sjellë arrestime dhe hetime për figura të rëndësishme të administratës vendore.
Ndërsa PS kërkon të paraqitet si forca që garanton stabilitet dhe rinovim, përfshirja e Noizy-t në fushatë për shumëkënd është më shumë se një përpjekje për të tërhequr votën e të rinjve: është një sinjal politik që Rama ka marrë të gjithë kontrollin – edhe aty ku dikur dominonte Veliaj. /gazetajone