spitali

Në tenderin e zhvilluar nga Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” për blerjen e materialeve mjekësore, ngrihen dyshime serioze për paracaktim të fituesit, pasi drejtuesit e këtij institucioni nuk kanë zbatuar plotësisht vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), siç konstaton Gazeta Jonë. 

Tenderi me objekt “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme”, me fond limit 18,7 milionë lekë pa TVSH, është ankimuar nga kompania “Trimed” me pronare Gentiana Peshkatarin, e përfolur në media si ortake e padeklaruar e Vilma Nushit.

Kompania ka kundërshtuar specifikimet teknike të tenderit, duke pretenduar se ato ishin hartuar në mënyrë të tillë që të kufizonin konkurrencën, ndërsa ka dyshime se fituesi është paracaktuar.

Komisioni i Prokurimit Publik pranoi pjesërisht pretendimet e “Trimed” dhe me vendimin nr. 565/2025 urdhëroi autoritetin kontraktor të kryente modifikimet e nevojshme në dokumentet e tenderit, duke hapur kështu rrugën për një garë më të barabartë.

Megjithatë, në vendimin e fundit nr. 623/2025, KPP konstatoi se Spitali “Koço Gliozheni” nuk kishte zbatuar plotësisht urdhrat. Sipas KPP-së, autoriteti kontraktor kishte publikuar ndryshime të pjesshme, duke lënë në fuqi kritere teknike të diskutueshme që mund të favorizojnë operatorë të caktuar.

Moszbatimi i vendimit të KPP ngre dyshime të forta nëse procedura e tenderimit është ndjekur me transparencë dhe paanshmëri, apo nëse fituesi është paracaktuar që në fillim përmes kritereve diskriminuese.

Në këtë fazë, procedura mbetet nën monitorim të mëtejshëm.  Gazeta Jonë që do të verifikojë nëse tenderi është caktuar për fituesit e përhershëm. /gazetajone