
Një skandal i rëndë ushqimor ka dalë në dritë dje, ku një kompani private ka importuar produkte ushqimore që përmbanin bakterin e salmonelës, më konkretisht fileto pule.
Policia ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë, ndërsa ka proceduar penalisht vëllanë e tij Mond Gaxho që është pronari, dhe tre inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).
Sipas njoftimit të DVP Tiranë, 50-vjeçari Arben Goxha, administrator i kompanisë, dhe vëllai i tij, Mondi Goxha, 53 vjeç, kanë futur në vend sasi produktesh ushqimore të kontaminuara, të cilat më pas u lejuan për tregtim nga inspektorët e AKU-së.
Në këtë skemë janë përfshirë edhe tre inspektorë të AKU-së, Gezim Hushi, 38 vjeç, Sada Lufta, 42 vjeçe, dhe Aldo Sinjari, 46 vjeç, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos parandaluar daljen e këtyre produkteve në treg.
Njoftimi i policisë:
Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.
Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme./gazetajonë