
Rreth 6.6 milionë euro me TVSH është shuma që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vënë në dispozicion për një tender të ri me objekt “Blerje pajisje për përdorim policor”, me afat përmbyllës deri në fund të vitit. Por, pyetja që lind natyrshëm është: a kemi të bëjmë me një garë të hapur dhe reale, apo fituesi është i paracaktuar?
Burime nga GAZETA JONE e konfirmojnë se procedura do të zhvillohet përmes një marrëveshjeje kuadër me dy faza: fillimisht do të vlerësohen kompanitë për kapacitetet e tyre teknike dhe financiare, dhe më pas do të ftohen për të bërë ofertat vetëm ato që kualifikohen. Deri këtu, gjithçka duket në përputhje me ligjin. Por kur hyn në lojë kushti i xhiros vjetore – jo më pak se 35% e fondit limit, ose rreth 2 milion euro – panorama fillon të ngushtohet ndjeshëm.

Nga verifikimet tona, ky kusht e kufizon ndjeshëm konkurrencën reale, pasi në treg janë vetëm dy kompani që i përmbushin kriteret dhe duket se synimi është pikërisht i preferuari i përhershëm, Emiljano Dusha.
Njëra prej këtyre kompanive është pikërisht Military System Supply Company (MSSC), në pronësi të Emiljano Dushës – një emër jo i panjohur për lidhjet me strukturat qeverisëse dhe përfitimet nga tenderët publikë.
Dusha është njeri i afërt i Rilindjes pasi ka spikatu me rrahjen e gazetarit Mero Baze gjatë zgjedhjeve të vitit 2005 dhe më pas u padit në SPAK nga Belind Këlliçi për blerje votash në 2021.
Dusha dhe kompania e tij janë ndër aktorët kryesorë edhe në një tender të zhvilluar vitin e kaluar për pajisje policore, i cili u karakterizua nga dy anulime të pashpjeguara dhe më pas u mbyll me një formulë të çuditshme: tre fitues për tre lote, ku secili prej aplikantëve mori nga një copë të kontratës.
Fituesit e asaj procedure ishin MSSC, ROGAT Security dhe ARMS SCHOOL ACADEMY (Pelikan Security), një formulë që u pa nga shumë si rezultat i një marrëveshjeje të heshtur midis operatorëve ekonomikë.
Formatimi i ri i këtij tenderi të fundit ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe konkurrencën e vërtetë. Kushtet teknike të përcaktuara duket se janë përgatitur për të favorizuar të njëjtët emra, duke eliminuar de facto garën.
A është ky një rast tjetër ku tenderët milionash përcaktohen paraprakisht në zyrat e Rilindjes dhe më pas maskohen si procedura të ligjshme? A do të jetë sërish Emiljano Dusha dhe MSSC përfituesit e “preferuar” të Policisë së Shtetit? Të gjitha shenjat e deritanishme sugjerojnë një “po” të fortë.
Të presim dhe të shohim rezultatin…! /gazetajone