-640-0-screenshot-2025-03-24-115506-1742813713

Policia ka identifikiuar dhe shpallur në kërkim 2 autorët e dyshuar për plagosjen e 38-vjeçarit Redi Vata ditën e djeshme në Kamëz.

Hetimet e policisë zbuluan se dy personat e shpallur në kërkim, Marjo Boja dhe Ersjon Boja, kushërinj me njëri-tjetrin, i prenë rrugën me automjet 38-vjeçarit dhe e dhunuan me sende të forta.

Në vendngjarje është gjetur dhe një gëzhojë, e cila dyshohet se mund të jetë shkrepur nga një armë që posedonin agresorët.

I plagosuri aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Është sekuestruar 1 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak, që u gjetën në banesën e njërit prej autorëve të dyshuar.

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, të cilët dyshohet se dje, rreth orës 10:00, në rrugën “OSBE”, për motive të dobëta, i kanë prerë rrugën, me automjet, shtetasit R. V., 38 vjeç, dhe e kanë goditur atë, me sende të forta. I dëmtuari mori mjekim dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. B., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë (me leje) dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim automjeti tip “Benz” me të cilin dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes, 2 autorët e dyshuar.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për gjetjen e automjetit dhe për dokumentimin ligjor të rastit.”– njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme