
16 serbë janë arrestuar në territorin e Republikës së Kosovës. Autoritetet e kanë përshkruar prezencën e tyre si “përpjekje për destabilizim”.
Në Gjakovë të shtunën u arrestuan dy serbë nga Mitrovica dhe dy të tjerë nga Serbia. Njëri nga Novi Sadi e tjetri nga Beogradi.
Burime të Insajderit bëjnë me dije se në Gjakovë në pranga ranë Branko Rakiq dhe Milovan Steviq, që të dy serbë me vendbanim në Mitrovicë, raporton Insajderi.
Ndërkaq dy serbët e tjerë me vendbanim në Serbi janë: Nemanja Vamoviq dhe Pavle Kragoviq.
Edhe 12 të tjerë janë arrestuar përgjatë ditës së sotme në Prizren. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla.
“Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.
Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, ka thënë ndër të tjera Sveçla.
Sveçla thotë se në bazë të hetimeve paraprake, një toger ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Bansjkës, Nemanja Radivojeviq me nofkën “Gandi”. Sipas ministrit në detyrë, “Gandi” është i lidhur me Vladimir Radivojeviq, të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Policia ka njoftuar gjatë ditës së në veturën e katër pelegrinëve serbë në Gjakovë janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë. /gazetajone