
Një fëmijë vetëm 11 vjeç po lufton për jetën mbasi ndaj tij dhe tre të tjerëve që po udhëtonin me një mjet G-Class, u zbrazën mëse 30 plumba automatiku.
I mituri, djali i një biznesmeni kishte festuar datëlindjen së bashku me vëllain të moshës 17 vjeç dhe shokët e tyre, e po kthehej në shtëpi i shoqëruar me shoferin e familjes 34-vjeçarin, Arenc Stafa.
Në dinamikën e ndërtuar, të bazuar tek të dhënat paraprake hetuesit besojnë se ndaj automjetit luksoz ku gjendeshin pasagjerët dy prej tyre të mitur, një i tretë Kian Mullahi 19 vjeç dhe shoferi Stafa u qëllua në ecje e sipër me armë zjarri, ndërsa konsiderohet se njësoj është vënë në rrezik edhe jeta e të pafajshmëve të tjerë kalimtarë të rastit.
Paraprakisht hetuesit thonë se kanë si pistë ngatërrimin e shënjestrës mbas dyshimit fillestar se ky aks rrugor frekuentohej me makina të ngjashme.
Është kjo arsyeja pse hetuesit po verifikojnë se kush jeton në zonën rezidenciale të Lundrës, një zonë ku shënjestrat kanë banesat dhe që sakaq përdorin makina të ngjashme.
Deri më tani agjentët besojnë se në këtë zonë banon edhe bashkëshortja e të ndjerit Roan Brahimi, babai i të cilit u qëllua për vdekje 45 minuta përpara se të ndodhte atentati i Tiranës.
Megjithëse agjentët besojnë se gruaja e Brahimit, që sa ishte gjallë kishte kundërshtar Ervis Martinin, përdorte një automjet të ngjashëm.
Tch ka verifikuar të dhënat prej nga ku rezulton se shtetasja A. Brahimi përdor makinë ‘Audi Q5′ dhe jo ‘G-Class’
Njëherazi janë marrë në pyetje tre të dëmtuarit e tjerë të cilët kanë përshkruar itinerarin përpara se të ishin në vatër të armëve të zjarrit ku dhe kanë shpjeguar se nuk kanë patur asnjë incident.
Policia po mbledh ende prova dhe po bëhet gati që mbasi të mbylle marrjen në pyetje të disa shtetasve, të referojë materialet për veprën e vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë.
Akuza e grupit kriminal po shqyrtohet ende nga hetuesit që shpresojnë të gjejnë gjurmë biologjikë në një nga vendet ku dyshohet se vrasësit kanë pritur shënjestrën./Tch
Si nisi përplasja Martinaj-Brahimi?
Armiqësia duket se nisi vite më parë, ku Brahimi, apo siç njihej ndryshe, Sidorel Prendi, u dhunua dhe denigrua nga Brilant Martinaj.
Thuhet se ai i urinoi në fytyrë, akt ky që Roani nga Pllana e Lezhës, nuk e harroi kurrë. Ngjarja ndodhi për një borxh bixhozi të cilin Brahimi nuk e shleu.
Ylli Brahimi në rreth miqësie me Brahimin, e dërgoi atë në një nga bazat afër Fushës Kuqes, ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar.
Me daljen e tij gjallë nga aty, asokohe thuhet se Roan Brahimi paralajmëroi Ylli Brahimin: Nuk ta fal kurrë atë që më ke bërë!
Brahimi u bë i dyshuar për disa atentate të bujshme, mes tyre edhe masakra e Fushë Krujës, ku u vranë Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata.
Ngjarja ndodhi më 17 korrik 2022 dhe dyshohet se atentati u porosit dhe u organizua nga Roan Brahimi për eliminimin e Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt.
Më 22 korrik 2022, në Milot, u organizua një atentat ndaj Ylli Brahimit, krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Edhe për këtë ngjarje, Brahimi u dyshua si organizator. ?
Roan Brahimi dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes në 15 mars të 2024 në Larushk të Krujës.
Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, Ilir Beqaraj, rezulton të ketë lidhje miqësore me të, konkretisht kunat me Roan Brahimin.
Ky i fundit, në bashkëpunim me grupin e Niklës, ka dyshime të forta se kanë bashkëpunuar për të kryer këtë atentat, e po ashtu dyshohen të përfshirë edhe në disa ngjarje të fundit të ndodhura në Kurbin dhe Lezhë.
Ata mendohet të kenë qenë financues dhe organizator, për të goditur grupin rival të Ervis Martinajt. Për vrasjen e Gentjan Bejtjes dyshohet se pajtuan qitës nga Vlora.
Brahimi u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Dubai. Megjithatë, më 9 maj 2024, ai u vra në Athinë nga dy persona të maskuar me motor, ndërsa ishte me partneren dhe djalin e tij të mitur.