polici kosove

Një ngjarje e rëndë tronditi Kosovën mbrëmjen e 1 prillit të këtij viti ku efektivi i Policisë, Muhamed Lika u ekzekutua në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Lidhur me këtë vrasje në pranga kanë rënë shtatë të rinj, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë thurur planin dhe kanë kryer ekzekutimin e efektivit.

Rejhan Bela, 18 vjeç, dyshohet dhe të jetë autori i cili ka qëlluar me armë zjarri drejt Muhamed Likës.

Sipas asaj që mediat kosovare bëjnë me dije, Bela është njëri nga shtatë të arrestuarit në kuadër të një operacioni të finalizuar mëngjesin e kësaj të hëne në Kaçanik.

18-vjeçari dyshohet se është pjesë e një grupi ekstremist, i cili thuhet se ka organizuar vrasjen e efektivit të Policisë së Kosovës gjatë natës së 1 prillit.

Ndërkohë, përveç Rejha Belës, në pranga ka rënë dhe vëllai i tij, Haki Bela, 26 vjeç dhe Rilind Murati, 21 vjeç. Ndërkohë, vlen të theksohet se në mesin e të arrestuarve është dhe një ish-pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Më herët, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazment Hoxha tha se disa nga të arrestuarit rezultojnë të jenë me precedentë të mëparshme penale në raste me prirje të ekstremizmit fetar, si dhe disa prej tyre kanë qenë më herët në pranga lidhur me ngjarjen e ndodhur ku iu vendos zjarri Gjykatës së Kaçanikut.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 23:00 të datës 1 prill, ku efektivi i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika u ekzekutua me armë zjarri jashtë ambienteve të banesës së tij në Kaçanik. /gazetajone