IMG_1016

Është arrestuar mbrëmjen e sotme në Dibër ish-drejtoresha e spitalit të këtij qyteti, Irini Shehu.

Shehu u shkarkua nga posti pak javë më parë, pasi qëlloi me një send metalik shefin e financës së spitalit, pas një konflikti verbal që ata patën në zyrën e saj.

44-vjeçarja ishte vënë nën hetim pas incidentit për përndjekjen e punonjësve të spitalit. Gjatë kësaj kohe, ajo raportohet se ka kërcënuar dhe ofenduar me mesazhe punonjësit që dyshonte se e kishin denoncuar.

Mësohet se gjatë ditës së djeshme, ajo është konfliktuar edhe me kryeinfermieren e spitalit të Dibrës, Shpresa Biçi, të cilën e ka kërcënuar dhe ofenduar. Kjo e fundit ka bërë denoncim në polici.

‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet procedurale në Prokurori, për shtetasen I Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi (ish-drejtoresha e Spitalit Rajonal Dibër), për veprën penale “Përndjekja”. Ditën e djeshme, 44-vjeçarja dyshohet se ka përndjekur disa punonjës të Spitalit Rajonal Dibër.’, njofton policia e Dibrës.

Pas kësaj ngjarjeje, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e saj, por Shehu, me prenedimin se është e sëmurë, e ka shmangur të paktën deri tani, duke qëndruar e shtruar në një nga dhomat e spitalit, ku edhe ruhet nga forcat e policisë.