
Ditën e sotme është mbajtur seanca e radhës për të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” me dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Gjatë fjalës së tij para togave të zeza, Dumani deklaroi se me Erjon Alibej, i akuzuar si kreu i një prej organizatave kriminale në Elbasan, kishte folur edhe pasi u arrestua dhe ndodhej në paraburgimin e Elbasanit, ku u mbajt fillimisht. Sipas Dumanit, ai kishte telefon me aplikacionin “Sky Ecc” dhe në paraburgim, të cilin e humbi kur u transferua në burgun e kryeqytetit.
Dumani rrëfeu gjithashtu se kishte marrë porosi nga Suel Çela për vrasjen e Lulzim Mashës, të cilën ia përcolli bashkëpunëtorit të tij në krime, Henrik Hoxhajt përmes telefonit.
“Henrikut ia dhashë porosinë në telefon, pastaj ka ardhur të më takojë, për vrasjen e Lulëzim Mashës. Henrikut i ofrova 160 mijë euro, e pagova 10 mijë kapar, 10 mijë më duket i mbajta për vete”, tha Dumani.
Por Henrik Hoxhaj u shpreh në kundërshtim: “Është marrë porosia për vrasjen e djalit të Lulëzim Mashës, nuk u gjet ai. Dhe vajtëm te i ati në nënyrë që ai të vinte në varrim. Nuredin Dumani ma solli mesazhin me screenshot nga “sakati”, Aleksandër Baho. E kam shprehur këtë në deklarimet e mia”.
I penduari i SPAK tha më tej se porositësi i atenatit ishte Suel Çela, me të cilin e kishte lidhur miku i tij në Durrës, Fatmir Troplini, i njohur ndryshe si “Miri i Pojës”. Dumani tha se Suel Çela tek Fatmir Troplini merrte “mall”, ku dërgonte Xhino Rrokën.
“Me Suel Çelën më ka lidhur një miku im në Durrës, Fatmir Troplini, pasi Sueli çonte Xhino Rrokën të merrte mall tek këta. Pseudonimet e mia në Sky ECC ishin “Alkatraz”, “Covid 19” dhe “Toto Rino”. Henrikut ia kisha vënë emrin “Baftjari”, nuk e di si e ka pas. Porosinë e mora për të goditur Lulëzim Mashën. Vazhdimisht kam komunikuar me Henrikun, disa muaj përpara ngjarjes, mesi ose fillimi i 2021. Më ka takuar Aleksandër Baho disa herë. Një herë erdhi në Kosovë me CLS, njëherë me Audi A4 dhe njëherë me Audi me targa angleze. Herën e fundit ndjenji një ditë me mua. Porosinë për Lulëzim Mashën ma dha Suel Çela për persona të tjerë. Kemi komunikuar vazhdimisht bashkë nga 2021. Me Suelin u njoha përmes Fatmir Troplinit. Ky ka qenë kontakti. Suel Çela ka rrahur Arben Lazen. E mora përsiper porosinë e Suelit për interesin. Fillimisht m’u premtuan 150 pastaj 200 mijë euro”, ka rrëfyer Dumani.
Seanca u shoqërua me tensione dhe përplasje verbale mes Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, këtij të fundit i është hequr zyrtarisht statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë. Përplasja nisi gjatë diskutimit për porositë dhe urdhrat e marra në kuadër të grupeve kriminale, ku Henrik Hoxhaj akuzoi Dumanin se po përpiqet të minimizojë rolin e tij në vrasjet e planifikuara.
Dumani, nga ana e tij, reagoi menjëherë, duke iu drejtuar me ironi: “Nuk më ke dhënë asnjëherë urdhra, çfarë po bën këtu si kapiten Rramiu?! Të është dhënë një punë, ajo merret dhe bëhet, ose nuk pranohet fare.”
Në vijim të dëshmisë së tij, Nuredin Dumani rrëfeu se vendodhjen e tij në Fier kur u arrestua e zbuloi Suel Çela.
“Kur u plagosa, Sueli më tha ‘do të sjell doktorin’, pastaj mori këtë me vete (i referohet Henrik Hoxhajt). Më tha ‘hajt se do ta shofim’. Telefoni me të cilin kam folur me Suelin ndodhet në prokurori dhe Polici.” – deklaroi Dumani para trupit gjykues.