
Editorial-Gazeta Jonë
Projekti fitues për rindërtimin e stadiumit “Selman Stërmasi” nuk sjell thjesht një infrastrukturë sportive të re, por një tjetër kompleks kullash dhe strukturash betoni në një zonë tashmë të stërmbushur. Në vend që të shfrytëzohej si një mundësi për krijimin e një hapësire publike të gjelbër për komunitetin, plani urbanistik ndjek të njëjtin model që ka ndjekur Edi Rama që nga koha kur mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës në vitin 2000: më shumë beton, më shumë ndërtime, më pak frymëmarrje për qytetin.
Në vend që kjo hapësirë të shndërrohej në park urban për të balancuar ngarkesën urbane të zonës mes ish-Bllokut dhe Komunës së Parisit, ajo do të mbushet me kulla dhe struktura tregtare. Stadiumi në vetvete do të mbetet modest – pasi stadiumi kombëtar tashmë ekziston – ndërsa projekti që shoqëron ndërtimin e tij i përngjan më shumë një qendre biznesi sesa një hapësire për sport apo komunitet.
Argumenti i prezantuar nga zhvilluesit – se në këtë kompleks do të organizohen koncerte, evente mode dhe panaire – tingëllon si një justifikim për të shitur një koncept të konsumuar: fasadën e gjallërisë urbane që fsheh realitetin e një Tirane të betonizuar e të zymtë. Në thelb, kjo është një maketë e re e së njëjtës filozofi të vjetër: gjithçka kthehet në beton.
Ajo çfarë po i ofrohet qytetarëve si “zhvillim” është një model që zëvendëson funksionin vital të një parku urban me struktura të larta betoni, duke ua shitur si risi. Por Tirana nuk ka nevojë për më shumë ndërtime të larta – ajo ka nevojë për ajër, hapësirë publike dhe qetësi.
Për më shumë se dy dekada, çdo copë tokë në Tiranë është parë si një mundësi për ndërtime. Qeveria dhe bashkia, në vend që të mbrojnë pronën publike, e kanë trajtuar atë si plaçkë me të cilën qerasin oligarkët.
Nga parku i lodrave që sot është kthyer në një bllok pallatesh, te zona përreth Liqenit Artificial që gërryhet vit pas viti nga projekte ndërtimi, qyteti ka humbur me shpejtësi çdo hapësirë publike. Kaotizmi urban, zhurma dhe trafiku janë bërë pjesë e përditshmërisë së çdo banori.
Ky është modeli i Edi Ramës: për 11 vjet në krye të Bashkisë dhe 12 të tjera si kryeministër, ai ka vazhduar të vizatojë projekte me ngjyra që më pas betonizohen mbi çdo hapësirë të lirë. Qytetarët në këtë realitet nuk trajtohen si bashkëvendës, por si spektatorë të një shfaqjeje që ka gjithmonë të njëjtin epilog – më pak gjelbërim, më shumë beton.
Ndërkohë që qytetet e tjera europiane po punojnë për të shtuar gjelbërimin, për të rikthyer natyrën në qendra urbane, Tirana ngelet peng i një vizioni të njëanshëm, ku gjithçka duhet të ndërtohet dhe të shitet. Të ashtuquajturat kulla luksoze nuk sjellin zhvillim, por thellojnë ndarjen midis atyre që pasurohen nga ndërtimet dhe qytetarëve që përballen me mungesën e shërbimeve bazë si shkolla, spitale apo rrugë të kalueshme për këmbësorët.
Kullat e reja mund të duken të hijshme në prezantimet 3D, por në realitet janë thjesht simbole të një qyteti që po mbulohet nga betoni, ndërsa mungon ajri i pastër, qetësia dhe vendet ku komuniteti mund të jetojë me dinjitet.