erion veliaj

Në vendimin e arsyetuar prej 144 faqesh të gjyqtarit të Apelit të Posaçëm, Engert Pellumbi, i cili firmosi për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bie në sy një moment që duket se rëndon pozitën ligjore të të zgjedhurit vendor.

Pasi rendit arsyet pse Veliaj duhet të qëndrojë në kushtet e izolimit – duke theksuar se për shkak të detyrës si kryebashkiak, pushtetit që ka dhe lidhjeve të fuqishme, ekziston rreziku të pengojë ose të vërë në rrezik marrjen e provave, të frikësojë dëshmitarët apo të ndikojë në procesin hetimor – gjyqtari shkon edhe më tej në analizën e tij. Engert Pellumbi ka ngritur dyshime për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.

Teksa analizon bashkëpunimin mes Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe biznesmenit Elman Abule, gjykata ngre dyshime për ekzistencën e një grupi kriminal. “Gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim – Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule – ka tiparet e një bashkëpunimi të posaçëm, atij të grupit të strukturuar kriminal, duke qenë se përmbushen kriteret e pluralitetit të personave (3 persona), kryerjes së veprimtarisë kriminale për qëllim përfitimi material (pastrimi i produkteve të veprës penale të korrupsionit), si dhe moskrijimit të grupit rastësisht (kryerja e veprimtarisë kriminale në mënyrë të përsëritur dhe për një kohë të gjatë), pavarësisht se një formë e tillë bashkëpunimi nuk i është atribuuar ende këtyre personave në hetim”, thekson gjykata.

Për rrjedhojë – vijon gjyqtari – ky aspekt nuk është marrë në konsideratë gjatë caktimit të llojit të masës së sigurimit ndaj të dyshuarit Erion Veliaj. Por në të ardhmen, gjyqtari paraprak i çështjes, teksa kontrollon hetimet, mund të orientojë SPAK që ta hetojë kryebashkiakun për grup të strukturuar kriminal. Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenë të tjerë po hetohen nga SPAK për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. /gazetajone