
Një 24-vjeçar është vendosur në pranga nga blutë e kryeqytetit pasi trafikonte nga SHBA në Shqipëri, lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC.
I riu është identifikuar si Franci Veizaj.
Sekuestrohen rreth 3.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, me vlerë 50 000 euro.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Destinacioni”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 5”, u arrestua shtetasi F. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 3.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /gazetajone