paqja

Kryeministri, Edi Rama, ka rikthyer sërish premtimin për amnisti fiskale në shkallë të gjerë për biznesin duke e maskuar nën të ashtuquajturën paketa e Paqes Fiskale. Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Elbasan, Rama tha se ky nuk është një premtim elektoral.

“Nuk është një program elektoral. Ne do të vazhdojmë punën dhe kjo është pjesë e planeve tona. Duhet të hyjmë në një fazë të re të paqes fiskale dhe të zbatojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse atë që Ministria e Turizmit dhe Ministria e Financave kanë bërë në sektorin e turizmit. Jemi shumë të vetëdijshëm që ka një nivel të lartë informaliteti, pasi nga njëra anë kemi rritje të numrit të turistëve, por nga ana tjetër nuk kemi një rritje të ngjashme në deklarimet e hoteleve.”

Sipas tij, paketa e paqes fiskale do të jetë shumë më e gjerë nga sa u prezantua fillimisht duke përfshirë brenda saj edhe një amnisti të mirëfilltë fiskale.

“Paqja Fiskale ka tre komponentë kryesorë. I pari është tatimi i dakordësuar mbi fitimin. Komponenti i dytë është rishikimi i pasqyrave financiare, dhe i treti është falja e detyrimeve tatimore dhe kamatëvonesave. Biznesi do të përjashtohet nga kontrolli tatimor gjatë periudhës së marrëveshjes. Ne do t’u japim mundësi bizneseve që të paguajnë detyrimin e plotë, për të përfituar faljen e gjobave dhe kamatëvonesave,” – u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Rama shtoi gjithashtu se po punohet me Ministrinë e Financave dhe AKSHI-n për një proces të avancuar në administrimin e të ardhurave, ku fiskalizimi do të kalojë në dorën e inteligjencës artificiale.