tom doshi psd sherr zyrat fisheke

Një sherr mes një grupi të rinj është regjistruar këtë të martë para zyrës së Partisë Social-Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi, në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.

Blutë e kryeqytetit, përmes një komunikate për mediat, bëjnë me dije se fasada prej xhami e zyrës është konstatuar e thyer, teksa në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe dy plumba të pa shpërthyer.

Mediat raportojnë se kanë qenë disa persona të cilët kanë sulmuar zyrën e PSD-së dhe më pas janë konfliktuar fizikisht, teksa ende nuk dihen identitetet e tyre. Dyshohet se është qëlluar edhe me armë zjarri.

Njoftimi i Policisë së Tiranës

“Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.

Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur.

Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.” /gazetajone