
Policia e Tiranës ka dalë me një komunikatë për mediat në lidhje me sherrin masiv të regjistruar mbrëmjen e djeshme në ambientet e një lokali në rrugën “Sami Frashëri”, ku mbeti i plagosur një person.
Autoritetet konfirmojnë se gjatë sherrit ka patur edhe të shtëna me armë zjarri, por sipas tyre, plagosja ka ndodhur me qytën e pistoletës. I plagosur ka mbetur lehtë shtetasi Kasem Stani (Pasha). Ai është arrestuar bashkë me 7 persona të tjerë, ndërsa autori i plagosjes është shpallur në kërkim.
Më konkretisht, në pranga janë vënë shtetasit Kasem Stani (Pasha), 40 vjeç, Elton Ajredinaj, 43 vjeç, Emiljan Ruko, 39 vjeç, Bjorni Tahiraj, 24 vjeç, Eriald Tahiraj, 35 vjeç, Denikiajder Tahiraj, 30 vjeç, Eduart Sulaj, 47 vjeç dhe Kastriot Stani, 53 vjeç. Ata akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Ndërkohë, në kërkim është shpallur Adriano Shabanaj, 51 vjeç, banues në Fier.
“Dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, Adriano Shabanaj ka goditur me qytën e një arme zjarri, shtetasin Kasem Stani (Pasha), i cili u dëmtua lehtë. Gjithashtu, rezultoi se 51-vjeçari qëlloi një herë, me këtë armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas. Vijon intensivisht puna për kapjen e këtij shtetasi” – njofton Policia.
Autoritetet konfirmojnë se uniformat blu kanë gjetur në ambientet e lokalit armën e zjarrit pistoletë dhe e kanë sekuestruar bashkë me celularët e të arrestuarve dhe me prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Burime për mediat bëjnë me dije se shtetasit e mësipërm kanë qenë të ulur së bashku në të njëjtëm tavolinë në lokal. Mësohet se njëri-prej tyre u ka dhënë dorën të gjithë personave në tavolinë, ndërsa personi tjetër ka refuzuar duke e ofenduar.
Pas këtij momenti, ata janë përfshirë në një konflikt fizik me njëri-tjetrin, duke u goditur edhe me karrige. Gjatë sherrit është qëlluar edhe me armë zjarri. Dyshohet se Adriano Shabanajt i ka rënë pistoleta në tokë gjatë përleshjes fizike dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Dyshohet se shkaku i nisjes së konfliktit ka qenë dhënia e parave me fajde. /gazetajone