IMG_0899

Nga Ola Xama*

Nuk do të kisha kërkuar asnjëherë për metodologjinë që Banka e Shqipërisë përdor për të llogaritur shpenzimet e të huajve që vijnë për të vizituar vendin, duke qënë se në sistemet e saj bankare raportohen transkasionet financiare me bankat jashtë vendit si për bizneset dhe individët. Gjithnjë kam menduar se një pjesë e rëndësishme e këtyre të dhënave do të kryqëzohej me sasinë e parave që janë tërhequr në bankomat nga të huajt, transfertat e kryera përmes bankave dhe pagesat me kartë.

Kur u raportua se vitin e shkuar turistët shpenzuan plot 4.99 miliard euro, u çudita. Nëse do të bënim një llogari amatore për të shtuar shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në turizëm, investimet vjetore në këtë sektor, shërbimet mbështetëse, blerjet e mallrave dhe shërbimeve në degë të tjera etj., pa asnjë frikë pesha që do të kishte në ekonomi do të kalonte 30% të prodhimit kombëtar të vendit. Çështja është se në rezultatet e matjes së rritjes ekonomike, INSTAT i njeh kontribut, por nuk i jep turizmit peshë dominuese të ekonomisë.

Ndaj nisa të kërkoj për metodologjinë që përdor banka qëndrore për të matur shpenzimet e turistëve në vendin tonë. Llogaritja bëhet kështu: merret parasysh numri i udhëtarëve që hyjnë në Shqipëri, kohëqëndrimi mesatar (i cili bëhet me vrojtim dhe jo me matje të saktë) dhe më pas bëhet një vlerësim se sa mund të jenë shpenzimet ditore të një udhëtari. Të dhënat llogariten nga rezultatet e dy formularëve: njëri për hyrje-daljet e të huajve që plotëson Ministria e Brendshme; dhe tjetri për numrin, kohëqëndrimin dhe të ardhurat që arkëtohen nga turistët – të cilin e plotëson Ministria e Turizimit.

Pra, është vetë ministrja e Turizimit Mirela Kumbaro që shënon se sa ka shpenzuar një turist dhe kur kjo e dhënë publikohet nga Banka e Shqipërisë del në krah të kryeministrit për ta prezantuar si një shifër sensacionale. Disa javë më parë kryeminsitri për pak sa nuk i nxorri zbuluar, kur u tha bizneseve në Vlorë që duhet të deklarojnë saktë netëqëndrimet dhe arkëtimet që marrin. Praktikisht pranoi që shifra se sa kanë shpenzuar turistët është gjetur me ‘bingo’.

Llogaritja e mangët e të ardhurave nga turistët i bën mirë qeverisë, por dhe Bankës së Shqipërisë, e cila ka vite që është në hall se si të justifikojë mbiçmimin e lekut ndaj valutave. Tashmë është gjetur një faktor ‘fondamental’ me rritje anormale dhe çështja mbyllet!

Nuk e diskuton njeri që vitet e fundit numri i turistëve është shtuar, sepse të dhënat kur kalohet kufiri regjistrohen në sistem- por që të kenë shpenzuar 5 miliard euro duke ia kaluar eksporteve nuk e beson njeri, siç nuk beson njeri që valutat janë dobësuar nga turizmi dhe blerja e shtëpive nga jorezidentët.

Nëse do të ishin shprenzuar 5 miliard euro nga turistët nuk do të ishte në rënie as bujqësia dhe as industria, ndërsa importet duhet të ishin rritur me të paktën gjysmën e kësaj vlere (rritja për vitin 2024 është me 220 milion euro). Kontradiktore janë dhe shifrat se numri i turistëve vitin e shkuar u rrit me 14.5%, por netëqëndrimet me 36.2%, kur vetë qeveria pranon për informalitet të lartë në sektorin e hotelerisë.

Në ekonomi nuk manipulon dot të dhënat, se po të rritësh një tregues duhet të rriten dhe disa derivatë të tij, ose të bien treguesit konkurrentë.

( Linku për metodologjinë:
https://www.bankofalbania.org/Statistikat/Statistikat_e_Sektorit_te_Jashtem/Pozicioni_i_Investimeve_Nderkombetare_PIN/;
faqe 26)

 

*Titulli është i redaksisë