
Me një diferencë prej 1.3 milionë eurosh nga oferta më e ulët, Petrit Patushi dhe Arbër Abazi do të rikonstruktojnë repartin e Djegie–Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Firmat e tyre Agri dhe Alko kanë fituan garën me 11 kompani të tjera. Nga hulumtimet që ka bërë VoxNews të dokumenteve të tenderit, rezulton se nga 12 firma në garë, 10 të tilla u skualifikuan, pavarësisht se shumë prej tyre kanë fituar tendera të ngjashëm.
Por ajo që bie në sy është një diferencë e madhe nga oferta më e ulët te ajo fituese, ku 130 milionë lekë të rinj mund të ndërtosh një spital nga e para. Por në këtë vendin tonë, shpenzimet e institucioneve janë pa kriter, madje s’u bën përshtypje edhe të vjedhësh në spitale.

Në datën 1 prill 2025, u shpall fituesi i tenderit për rikonstruksionin e Djegie – Plastikës. Nuk është ndonjë gënjeshtër, por të dhëna të bazuara në dokumentet e tenderit.
Fitues doli një bashkim operatorësh, firma “AGRI CONSTRUCTION” me pronar Petrit Patushin që do të ketë 72 % të vlerës së punimeve dhe firma “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”, me pronar Arbër Abazi, që do të bëjë 27.74 % të punimeve.
Objekti i tenderit është “rikonstruksion i godinës së Djegies – Plastikës në QSUNT” me një afat 16 muaj sipas grafikut te punimeve. Këto firma ofruan 487 milionë lekë, teksa oferta më e ulët ishte ajo e “INERTI” me një vlerë 359 milionë lekë.
Një diferencë tepër e madhe, por që në këtë rast u fut “operacioni gërshëra”, duke hequr ofertat më të ulta. Në dokumentet që hulumtoi VoxNews rezulton se janë skualifikuar plot 10 kompani, njëra për materialet e kërkuara, disa për licenca të punëtorëve apo edhe që s’kanë ambiente pune ndihmëse.
Firma që ofroi më pak, “INERTI”, u skualifikua për shkak se disa punëtorë ishin edhe me letra në një kantier tjetër. Arsye tjetër ishte për shkak se disa materiale, si UPS s’kishin autorizim nga prodhuesit.

Në dokumentet shoqëruese shkruhet se godina ka funksionin e një godine spitalore nën emërtimin “Spitali i Djegie-Plastikës”. Si ndërtim, i takon stokut të godinave të ndërtuara midis periudhës së viteve 1984-1985. “Nga pikëpamja funksionale dhe strukturore, ndërtesa në gjendjen ekzistuese, është e ndarë në tri njësi të pavarura dhe konkretisht njësia ‘Reanimacioni’, ‘Blloku Operacional’ dhe ‘Blloku Operacional’” thuhet në dokumente.
Në dokumente shkruhet se godina u ekzaminua vizualisht për ndonjë shenjë të dukshme dëmtimi si p.sh shkatërrim të pjesshëm, çarje në fasadë, çarje në mure, elementë strukturorë të dëmtuar, apo problematika të terrenit. Gjithashtu, vëmendje iu kushtua dhe lidhjeve të elementeve strukturorë, zonave të mbështetjes së dyshemesë ose soletës si dhe zhvendosjeve të mundshme të elementëve vertikalë. /voxnews