
Vdekja e Papa Françeskut të hënën i dha udhë ritualit shekullor katolik të zisë dhe zgjedhjes së një udhëheqësi të ri të kishës katolike.
Bergoglio ishte kreu i fundit në detyrë i Vatikanit që ka vdekur në 20 vjet, që nga Papa Gjon Pali II që ndërroi jetë në 2005. Ish Papa Benedikti, i cili vdiq në 2022, dha dorëheqjen në 2013, çka çoi drejt zgjedhjes së Françeskut në konklavë.
Konklava do të mblidhet sërish tani për zgjedhjen e Papës së ri, e kjo normalisht duhet të ndodhë 15 deri në 20 ditë pas vdekjes së Françeskut. Koha përgjatë të cilës papati mbetet bosh, për shkak të vdekjes apo dorëheqjes së Atit të Shenjtë, njihet ndryshe i Sede Vacante.
Sipas rregullit, Papë mund të bëhet çdo mashkull i pagëzuar, megjithatë pretendentët zakonisht janë vetëm mes kardinalëve të Kishës Katolike. Françesku, i cili ishte argjentinas, bëri histori si Papa i parë i Amerikës Latine dhe i pari Papë Jezuit.
Kandidat kryesor për të pasur atë në krye të Kishës Katolike konsiderohet Luis Antonio Tagle nga Filipinet, i cili do të ishte Papa i parë aziatik, dhe shihet si njeri që ka pikëpamje të ngjashme progresive si Bergoglio.
Një tjetër pretendent historik është Peter Turkson nga Gana, i cili do të ishte Papa i parë me ngjyrë në kohët moderne dhe ka punuar tashmë si këshilltar i Françeskut për çështjet e drejtësisë sociale dhe ndryshimeve klimatike. Mes 12 kandidatëve më të mundshëm është edhe kardindali 72 vjeçar Joseph Tobin nga SHBA.
Megjithatë, ka ekzistuar prej kohësh një lloj konsesusi i heshtur që Papa të mos ishte amerikan. Fuqia e madhe gjeopolitike e SHBA-së ka bërë që një ide e tillë të konsiderohet gati tabu, ndërsa një udhëheqës joamerikan i Kishës Katolike do të ofronte një kundërpeshë ndaj ndikimit të Shteteve të Bashkuara.