
Pavarësisht premtimit për ta zhvendosur brenda fundit të muajit mars impiantin e prodhimit të asfaltit në zonën e Zall-Dajtit, kompania koncesionare e “Rrugës së Arbrit”, “Gjoka Konstruksion”, vijoi punën.
Banorët kanë denoncuar për Citizens.al se impianti po funksionon edhe në ditët e para të prillit, duke e shoqëruar këtë pretendim me fotografi dhe video. Kjo u pranua dhe nga një prej administratorëve të kompanisë.
Në një bisedë telefonike, administratori Erind Gjoka, e justifikoi vijimin e punës me kushtet atmosferike. Ai tha se shirat e javëve të fundit kanë shtyrë planet e punimeve në rrugë duke e detyruar kompaninë ta rishikojë edhe për disa ditë zotimin e saj.
Gjoka siguroi se i qëndronte zotimit për ta zhvendosur makinerinë e prodhimit të asfaltit nga Zall-Dajti, duke theksuar se me të mbaruar punë me rrugën kompanisë nuk i nevojitet më.
Administratori pranoi se aplikimi për leje të prodhimit të asfaltit është ende në shqyrtim nga institucionet. Por ai garantoi se prodhimi do të ndalet së shpejti, pasi projekti i “Rrugës së Arbrit” ka përfunduar dhe impianti do të zhvendoset në Fier për nevoja të tjera të kompanisë.
Por banorët e Zall-Dajtit shprehen skeptik nëse impianti do të zhvendoset së shpejti dhe mbeten të shqetësuar për ndotjen që shkaktohet.
Në bisedën telefonike Gjoka këmbënguli se impianti nuk prodhon tym, por avull dhe se shqetësimi i banorëve nuk lidhej me ndotjen, por për interesa të palëve të treta që synojnë të ndërtojnë në zonë.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka konfirmuar për Citizens.al se kompania zotëron vetëm një leje mjedisore të tipit B, e cila lejon përpunimin e çimentos, por jo prodhimin e asfaltit.
“Gjoka Konstruksion” është justifikuar se prodhimi i asfaltit ka qenë i domosdoshëm për përfundimin e “Rrugës së Arbrit”.
Kantieri i kësaj rruge u ngrit pas vitit 2019 në Zall-Dajt, pranë bashkimit të Lumit të Tiranës dhe Lumit të Selitës. Banorët janë ankuar se, përveç ndotjes, kompania ka ndërhyrë në shtratin e lumit dhe ka dëmtuar një rrugë lidhëse të fshatit.
Pavarësisht se kompania ka pranuar publikisht shkeljen e ligjit, deri më tani institucionet shtetërore nuk kanë marrë masa penalizuese./Citizens.al