merita sheqi rejsi farma -2

Heshtje varri nga QSUT për ilaçin Daratumumab , tenderi URGJENT u mor nga Rejsi Farma por barna nuk ka ende

Gentian Pepa – Gazeta Jonë

Rreth dy muaj pas përfundimit të një tenderi urgjent me vlerë 7.2 milionë euro për furnizimin me Daratumumab – ilaçi jetik për pacientët me leucemi – Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) vijon të mos japë asnjë përgjigje nëse barnat janë dorëzuar apo jo. Heshtja zyrtare nga institucioni shëndetësor më i madh në vend po zgjat, ndërkohë që pacientët raportojnë mungesë të theksuar të këtij medikamenti në pavijonin e Hematologjisë.

DOKUMENTET/ Merita Sheqi e Rejsi Farma merr pa garë mega tenderin 7.2 mln euro për barnat e leuçemikëve në QSUT

Në dokumentet zyrtare thuhet se Rejsi Farma, kompania e shpallur fituese e kontratës kuadër dyvjeçare, duhej të dorëzonte 600 ampula menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes. Por raportimet e vazhdueshme në Gazeta Jonë dhe dëshmitë e pacientëve hedhin dyshime serioze se ky afat nuk është respektuar.

Heshtje varri nga QSUT për ilaçin Daratumumab , tenderi URGJENT u mor nga Rejsi Farma por barna nuk ka ende
Heshtje varri nga QSUT për ilaçin Daratumumab , tenderi URGJENT u mor nga Rejsi Farma por barna nuk ka ende

Mungesa e transparencës nga QSUT ka ngritur shqetësime të mëdha publike. Edhe pse redaksia jonë ka kërkuar zyrtarisht informacion mbi zbatimin e kontratës, nuk ka ardhur asnjë reagim – as brenda afateve ligjore dhe as më pas. Një institucion publik i financuar me paratë e qytetarëve nuk po përmbush as detyrimin minimal të informimit.

Tenderi, i cilësuar si “urgjent” për shkak të gjendjes kritike të pacientëve, rezultoi një garë me një pjesëmarrës të vetëm: Rejsi Farma, në pronësi të Nexhat dhe Merita Sheqit.

Kriteret për përzgjedhjen e operatorit duket se ishin të dizajnuara në mënyrë që të përjashtonin konkurrencën, duke vendosur si prag një xhiro vjetore minimale prej 2.9 milionë euro – një kërkesë që shumë operatorë nuk e përmbushnin.

Ky model përjashues, i kombinuar me heshtjen e zgjatur të QSUT-së dhe mungesën e furnizimit të raportuar nga pacientët, krijon një tablo alarmante: një tender i madh, me pretendimin e emergjencës, nuk ka sjellë furnizim real për pacientët që luftojnë për jetën.

Nëse urgjenca ekzistonte vërtet, pse nuk janë shpërndarë ende barnat? Dhe nëse barnat janë dorëzuar, pse nuk ka asnjë transparencë për këtë? Pyetje thelbësore që mbeten pa përgjigje.

Ky nuk është rasti i parë ku emri i Rejsi Farma shfaqet në procedura me “flamur të kuq”. Në vitet e fundit, kompania ka fituar mbi 20 milionë euro nga tenderë në sistemin spitalor publik – shumë prej tyre të kritikuar për mungesë konkurrence apo transparencë.

Tashmë, ajo që duket qartazi është se pacientët me leucemi po paguajnë me shëndetin e tyre pasojat e një procedure që për nga forma e prezantuar si urgjente, në përmbajtje po rezulton e vonuar, e paqartë dhe aspak humane.

Në një shtet social, shëndeti nuk mund të jetë viktimë e tenderëve të paracaktuar. Qytetarët meritojnë përgjigje. Pacientët meritojnë trajtim. Dhe QSUT, e cila ka për detyrë të shërbejë, nuk mund të vazhdojë të sillet si e paprekshme.

Heshtja nuk mbron më askënd – veç atyre që kanë diçka për të fshehur. /gazetajone