
Ishulli i Sazanit në brigjet e gadishullit të Karaburunit në Shqipëri është hapur së fundmi për vizitorët, por historia e tij mbetet ende një mister”, shkruan Aditi Rane në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.
Vitet e fundit, Shqipëria ka fituar popullaritet si një nga destinacionet e preferuar për pushime, falë plazheve dhe peizazheve të saj mahnitëse, por një ishull i pazakontë është kthyer në trend për një arsye tjetër. Në brigjet e gadishullit të largët të Karaburunit të Shqipërisë, ishulli i Sazanit mbetet një nga destinacionet më misterioze dhe më pak të njohura të Evropës.
Pavarësisht bukurisë së tij magjepsëse, ishulli 5,7 kilometra katrorë ka qenë prej kohësh i ndaluar për vizitorët për shkak të së kaluarës së tij të errët ushtarake. Dikur një bazë strategjike e nëndetëseve dhe armëve kimike për Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, tani ishulli është shndërruar në zonë me interes për vizitorët që tërhiqen nga turizmi i errët.
Ishulli i Sazanit luajti rol kyç në mbrojtjen ushtarake të Shqipërisë. Rrjeti i tij i bunkerëve dhe tuneleve nëntokësore, i ndërtuar për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore, mbetet i fshehur nën peizazhin e tij të thyer. Megjithëse tani ishulli është shtëpia e një baze ushtarake shqiptaro-italiane, dalëngadalë ka nisur të mirëpresë vizitorë kureshtarë.
Në verën e vitit 2017, një pjesë e vogël e ishullit të Sazanit u hap zyrtarisht për turistët, duke i lejuar të eksploronin plazhet e tij të pacënuara, strukturat e braktisura ushtarake dhe reliket e frikshme të Luftës së Ftohtë, për herë të parë. Sot, aventurierët mund “të lundrojnë” në rrënojat e tmerrshme, të dëshmojnë bukurinë e tij natyrore të paprekur e madje të eksplorojnë labirintin e nëndheshëm që dikur mbronte operacionet më të fshehta ushtarake të Shqipërisë.
Pavarësisht të kaluarës së trazuar, ishulli i Sazanit është një parajsë për adhuruesit e natyrës. Ishulli është i rrethuar nga ujëra të pastra kristal, shkëmbinj e limane të fshehura që ofrojnë pamje mahnitëse të deteve Adriatik dhe Jon. Me klimën mesdhetare dhe bimësinë e harlisur e të egër, shfaqet një kontrast i fortë me strukturat e tij të shkreta dhe të braktisura.
Ndonëse ishullit i mungon ende një infrastrukturë turistike e plotë, turet me varka nga Vlora tani i lejojnë vizitorët të shkelin në këtë tokë, dikur të ndaluar. Ndërkohë që aksesi i plotë në tunelet ushtarake mbetet i kufizuar, turet më këmbë ofrojnë një mundësi për të parë nga afër historinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë.
Ata që kërkojnë një destinacion unik rekomandohen të vizitojnë ishullin e Sazanit, i cili ofron një ndërthurje magjepsëse të historisë, misterit dhe bukurisë natyrore duke e bërë atë një udhëtim të domosdoshëm për turistët e guximshëm që kërkojnë të eksplorojnë xhevahiret e fshehura të Evropës. /gazetajone