rama izrael

Kryeministri Edi Rama është nderuar me Medaljen Presidenciale të Nderit nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Tiranë. Ky vlerësim vjen si shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe qëndrimin historik të Shqipërisë ndaj popullit hebre.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend i sigurt për hebrenjtë, duke kujtuar se gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria u bë strehë për ta, pavarësisht dallimeve fetare. Ai vlerësoi rolin mbrojtës të popullsisë myslimane në vend, e cila, sipas tij, ishte mburoja më e fortë kundër përndjekjeve naziste.

Rama u ndal edhe tek aktualiteti në Lindjen e Mesme, ku ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për një zgjidhje me dy shtete, duke përjashtuar çdo kompromis me Hamasin, të cilin e krahasoi me nazistët e shekullit të ri.

“Ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri. Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis”, tha Rama.

Në këtë kuadër, kreu i qeverisë njoftoi se në Shqipëri po ndërtohen dy qendra kushtuar trashëgimisë hebreje: një muze në Vlorë dhe një qendër kulturore në Tiranë. Ai solli në vëmendje edhe histori të paharruara sakrifice nga shqiptarët, që shpëtuan hebrenjtë me rrezik për jetën e tyre, duke i qëndruar besnikë mikpritjes dhe nderit.

Ky vlerësim nga Izraeli vjen si një tjetër dëshmi e lidhjeve të forta mes dy vendeve dhe e një historie krenare që vazhdon të frymëzojë.

Rama: Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria u bë strehë për popullin hebre dhe ndryshe po kështu nga vendet e tjera, hebrejtë nuk largoheshin, por erdhën për të gjetur strehë, për të gjetur mbrojtje dhe për të qenë të sigurt.

Nuk mundem të mos kujtoj këtu një prej shumë episodeve, të asaj faqeje të lavdishme të historisë sonë, kur të gjithë udhëheqësit fetarë u thirrën nga nazistët për të dhënë qasje për t’i dorëzuar arin shqiptar dhe listën e hebrejve dhe ata menjëherë thane: “Mund ta merrni floririn, po hebrenjtë janë tanët, do t’i mbrojmë”. Dhe ata nuk bashkëpunuan me nazistët dhe askush nuk e bëri këtë.

Ka dy hebrenj në listën e personave të internuar në Gjermani nga e gjithë bota, por nuk janë hebrenj në fakt. Janë dy shqiptarë që ishin djemtë e një familjeje shqiptare, që fshehu dy hebrenj dhe kur nazistët shkuan t’i merrnin, i vjetri i shtëpisë u tha, “prisni në derë”, sepse do t’ua dorëzonte, dhe u dorëzoi dy djemtë e tij, që përfunduan në Bergen-Belsen dhe nuk u kthyen kurrë, e nuk thanë kurrë që ata nuk ishin hebrenjtë që supozohej të mbronin. /gazetajone