IMG_0783

Shkencëtarët paralajmërojnë se Arktiku mund të jetë burimi i pandemisë së ardhshme, për shkak të rrezikut që vjen nga “virusët zombi” të ruajtur për mijëra vite në akullnajat dhe permafrostin e ngrirë. Një studim i ri thekson se ngrohja globale po shkrin barrierat natyrore mes ekosistemeve, kafshëve dhe njerëzve, duke rritur ndjeshëm mundësinë e shpërthimit të një sëmundjeje të re.

Dr. Khaled Abass nga Universiteti i Sharjah thotë: “Ndryshimet klimatike nuk po shkrijnë vetëm akullin – por edhe kufijtë mes botës së egër dhe njerëzve”. Ai paralajmëron se me shkrirjen e permafrostit, mund të çlirohen viruse ose baktere të lashta, të cilat mund të infektojnë njerëzit dhe të shkaktojnë pasoja të paparashikueshme.

“Virusët zombi të ngrirë për mijëra vite”,

Në vitin 2014, studiuesit nxorën viruse nga permafrosti siberian që ishin ende të aftë të infektonin qeliza të gjalla, pavarësisht se kishin qenë të ngrira për mijëra vjet. Në 2023, një virus amebe u rikthye në jetë pasi kishte qëndruar i ngrirë për 48,500 vjet. Një tjetër rast shqetësues është zbulimi i 1,700 viruseve të panjohura në një akullnajë në Kinën perëndimore – disa prej të cilëve datojnë që 41,000 vite më parë dhe kanë mbijetuar në tre epoka të ndryshme të ngrohjes globale.

Një shembull real i rrezikut u pa në vitin 2016, kur sporet e antraksit u çliruan nga një kafshë e ngordhur e ngrirë në Siberi, duke shkaktuar infektimin e dhjetëra personave dhe vdekjen e një fëmije. Këto sëmundje kanë potencial të rrezikshëm, sidomos nëse kalojnë te kafshët dhe më pas tek njerëzit – duke u kthyer në sëmundje zoonotike, që përbëjnë rreth 75% të të gjitha infeksioneve njerëzore.

Rreth katër seksilionë qeliza mikrobiale çlirohen çdo vit nga permafrosti që po shkrin. Edhe nëse vetëm 1% e tyre janë të rrezikshme, përmasa e jashtëzakonshme e tyre e rrit ndjeshëm rrezikun e një shpërthimi infektiv.

Shkencëtarët theksojnë se rajonet arktike janë veçanërisht të rrezikshme për përhapjen e pandemive, pasi ato kanë mungesë infrastrukture shëndetësore dhe mund të përhapin sëmundjet përpara se autoritetet të reagojnë. Dr. Abass përfundon: “Çfarë ndodh në Arktik, nuk qëndron vetëm në Arktik — efektet përhapen në gjithë botën.”